31 Ağustos 2016 Çarşamba

Kurrë Mos Harroni!

Kurrë Mos Harroni!

Ata të cilët e morën fenë për lojë dhe argëtim dhe u mashtruan nga jeta e kësaj bote”. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e patën harruar ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan shpalljet Tona.
(Sure A'raf: 51)
Vetëm mendoni sa herë në ditë duhet të sforconi veten për të kujtuar diçka. Posa të ngriheni nga shtrati, ka aq shumë çështje me të cilat duhet ta preokuponi mendjen tuaj. Ju mund të keni marr shënim apo ta keni vendosur një përkujtues diku në mënyrë që të mos harroni asnjërën prej tyre. Në disa raste, edhe vet mendimi se mund të harroni është shqetësues…
Çka nëse, prapëseprapë, vërtet keni harruar diçka shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër në jetën tuaj të përditshme?
Qëllimi ynë për të shkruar këtë libër është që t’ju përkujtojmë ato çështje në jetën tuaj që janë më të rëndësishmet. Kurrë mos harroni se, harresa e atyre gjërave të cilat do të ju kujtojmë në këtë libër do t’ju kushtojë shumë më tepër se harresa e asaj që përpiqeni ta kujtoni gjatë ditës, pa marr parasysh se sa me vlerë mund të duket ajo çështje.
Qëllimi i këtij libri është që të ju kujtoj arsyen e ekzistencës suaj në këtë botë. Ne ndiejmë nevojë që t’ju përkujtojmë për këtë, sepse njeriu është harrestar. I zhytur në rutinat e përditshmërisë, përveç nëse dëshiron ndryshe, ai mund të shpërqendrohet lehtë nga çështjet e vërteta të cilave në fakt duhet t’ju kushtoj vëmendje. Ai mund të harrojë lehtë se Allahu e përfshinë atë gjithandej, se Ai e sheh atë në çdo moment, se Ai e dëgjon atë, dhe se ai një ditë do të duhet t’i japë llogari Allahu për veprimet e tij. Ai mund të harrojë fare lehtë për sigurinë e vdekjes, të varrit, Xhenetit dhe Xhehenemit, se asgjë nuk ndodhë pos asaj që do Allahu, dhe se në fund të fundit ka një arsye për çdo gjë.
Njeriu është i prirur të harrojë. Në harresë, atij mund të mos i kujtohet qëllimi i jetës së tij, dhe kështu, të dështojë përkohësisht të sillet ashtu siç duhet dhe të gabojë. Për njerëzit e sinqertë, harresa e tillë nuk zgjatë më shumë se një sekondë, posa i kuptojnë dështimet e tyre, ata menjëherë pendohen, i drejtohen All-Allahut dhe vazhdojnë t’i respektojnë kufijtë e përcaktuar nga Ai. Besimtarët i luten All-Allahut në këtë mënyrë:
...Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!... (Sure Bekare: 286)
Ndonëse lloji i harresës që nënkuptohet këtu, në fakt nuk është harresa e rëndomtë që ne ka mundësi ta përjetojnë në jetën tonë të përditshme. Njeriu është, nga natyra, harrestar dhe i prirur të bëjë gabime. Megjithatë, lloji i harresës që trajtohet në këtë libër është ai që kontribuon në mpirje, pakujdesi dhe injorancë shpirtërore, edhe pse aftësitë mendore i lejojnë atij që të vazhdojë me rrjedhën e rregullt të ditës së tij.
Pra, ç’është ajo që një person e shpërfill dhe si pasojë e harron?
Pa dyshim, çështja më e rëndësishme që një person është i prirur ta harrojë është ekzistimi i Krijuesit të tij, dhe përgjegjësia e tij ndaj Tij... realiteti i një jete të përjetshme që do të jetohet ose në Xhenet ose në Xhehenem... ekzistenca e zjarrit të Xhehenemit dhe mirësitë e përjetshme të Xhenetit janë po aq të vërteta sa edhe fakti që ju i lexoni këto faqe të librit. Megjithatë, përkundër njohurisë për këto të vërteta, ata që i kanë lejuar vetes të bëhen harrestar janë bërë të pashqetësuar, dhe në mënyrë të gabuar pandehin se duke harruar qëllimisht këto çështje do t’iu ndihmojnë atyre që të shmangin të vërtetën.
Por, a mundet njeriu vërtetë t’iu shmanget përgjegjësive të tij duke i harruar ato? Sigurisht se jo. Njeriu është përgjegjës ndaj Allahut, Krijuesit të tij; ai do ta shijojë vdekjen herët apo vonë, dhe do të thirret të jap llogari në praninë e Tij, krejtësisht i vetëm. Si pasojë e kësaj llogarie, ai do ta kalojë përjetësinë në Xhenet ose në Xhehenem. Siç shkruan në Kur’an: (Sure Enbija’: 16); asnjë qenie, përfshirë njeriun, nuk është krijuar pa një qëllim. Njeriu nuk është lënë të jetojë ashtu si ia do qejfi, por është krijuar për ta “adhuruar Allahun. (Sure Dharijat: 56) Mirëpo, nëse ai hutohet për shkak të rutinave ditore dhe dështon ta përdor urtësinë e tij, atëherë ai fare lehtë mund ta harrojë këtë të vërtetë. Vetëm ata të cilët reflektojnë në mënyrë më të thellë mbi ngjarjet dhe qeniet që i rrethojnë ata mund të arrijnë në këtë përfundim të rëndësishëm.
Vet reflektimi mbi krijimin e vet do të bëjë që një person t’i kuptojë të mirat e All-Allahut ndaj tij. Kjo përfundimisht do ta bëjë atë të vetëdijshëm për nevojën për të bërë përpjekje serioze për të treguar përkushtimin ndaj Krijuesit të tij. Fillimisht, ai ishte asgjë, pastaj, e filloi jetën si një qelizë e vetme e padukshme për syrin e lirë. Kjo qelizë u nda me miliarda herë, dhe gradualisht u rrit në një burrë me të gjitha organet e tij të formuara. Më e rëndësishmja, kësaj qenie iu dhurua jetë, një shpirt, ndonëse ai kishte qenë asgjë. Një pikë ujë u zhvillua në një copëz, dhe pastaj në një qenie, e aftë të ketë aftësitë e të menduarit dhe të folurit. Ai është Zoti i tij i Cili e krijoi nga asgjëja. Megjithatë, disa njerëz e harrojnë krijimin e tyre, duke bërë justifikime të mjera, dhe kanë guximin për ta mohuar Atë.
Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë; (Sure Ja Sin: 78-79)
Nëse keni frikë gjithashtu mos jeni mosmirënjohës, atëherë duhet të ndaloni të shpërqendroheni nga mendimet e përditshme. Sepse, një person preokupohet me mendimin për Zotin e vet, vetëm nëse e bën këtë qëllimisht. Në mënyrë të ngjashme, ai bëhet i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vet ndaj Tij, në qoftë se kujton se kjo botë është një vend i përkohshëm, dhe se ai do të duhet të japë llogari për çdo gjë që ka bërë në këtë botë.
Në thelb, asnjë nga çështjet e diskutuara në këtë libër nuk është e atillë për të cilën ju thjeshtë do të thoshit: "më mirë të mos harroj." Jo, nuk guxoni ta harroni as edhe njërën prej tyre. Vetëm duke i kujtuar ato ju mund ta adhuroni All-Allahun dhe të fitoni kënaqësinë e Tij. Më e rëndësishmja është të mos harroni se kjo është rruga e vetme drejt shpëtimit, si në këtë botë ashtu edhe në botën e përtejme.
Allahu ju tregon dy mënyra me të cilat Ai ju sprovon, ju jeni të lirë të bëni një zgjedhje, por mos harroni se një nga këto mënyra të shpie në ndëshkim të përjetshëm, ndërsa tjetra të shpie drejt lumturisë së përjetshme...
Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët? Atëherë, le të ndjekë rrugën e vështirë! E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është rruga e vështirë? Ajo është të lirosh një skllav ose të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm ose të varfrin e mjerë. Veç kësaj, (njeriu duhet) të jetë nga ata që besojnë, që e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe e këshillojnë për mëshirë. Këta janë njerëzit e krahut të djathtë. Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, ata janë njerëzit e krahut të majtë. Mbi ata do të jetë zjarri i mbyllur. (Sure Beled: 10-20)

Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut

Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut

.. Ata ekanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata...
(Sure Teube: 67)
Ajo që vijon është thjeshtë logjikë e shëndoshë: Nëse ne e shohim një kala të bërë nga rëra përgjatë bregut të detit, jemi të bindur se dikush e ka bërë atë. Vetëm një person i pamend do të pohonte se ajo u formua rastësisht nga efekti i valëve dhe erërave. Çdo gjë që ekziston në gjithësi ka një projektim të dukshëm. Për më tepër, ky projektim i dukshëm në çdo detal të gjërave të krijuara është në mënyrë të pakrahasueshme më i përsosur, më superior dhe më kompleks se ai i një kështjelle prej rëre. Prandaj, ne ballafaqohemi me një fakt të qartë: gjithësia është krijuar nga një Krijues superior. Ai Krijues është Allahu, Zoti i të gjitha botëve.
Ekzistenca e këtij rendi të përsosur në gjithësi është një fakt i pamohueshëm. Bota në të cilën jetojmë është krijuar që të jetë e banueshme. Raporti i forcës gravitacionale, distanca mes tokës dhe diellit, përqindja e oksigjenit në atmosferë, dhe qindra baraspesha të tjera delikate, nuk kanë ndodhur vetvetiu apo rastësisht. Ato, pa dyshim, janë krijim i All-Allahut, i cili ka kontrollin mbi çdo gjë, nga mikroorganizmat më të vegjël deri tek planetët e mëdhenj të sistemit diellor. Ai është Allahu që krijoi gjithësinë me urtësi dhe me fuqinë e Tij të pafund dhe ndërtoi botën posaçërisht si një vend të banueshëm për ne:
Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë. Ai i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën, kështu që secili lëviz për një kohë të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës. (Sure Fatir: 13)
Duke e larguar vëmendjen tonë tani nga hapësira e jashtme, le të marrim parasysh trupin tonë. Trupi i njeriut është një strukturë që zien nga mrekulli të mahnitshme. Funksionimi i përsosur i trurit të njeriut është përtej krahasimit me kompjuter, produktin më të përparuar të teknologjisë moderne. Për më tepër, çdo organ plotëson funksionin e veçantë të tij në mënyrë të përkryer, dhe punon në harmoni të plotë me organet e tjera. Për shembull, për të marrë frymë një herë të vetme, goja, hunda, gabzherri, mushkëritë, zemra dhe të gjitha enët e gjakut, duhet të funksionojnë njëkohësisht. Asnjë nga këto nuk pushon ose të rraskapitet as edhe për një çast të vetëm. Ato të gjitha janë të bindura dhe të nënshtruara Krijuesit të tyre, dhe me plot bindje i binden asaj që u është bërë obligim atyre. Ajri, i pastruar dhe i ngrohur tek kalon nëpër hundë, bartet pastaj në mushkëri nëpërmjet gabzherrit. Ky oksigjen do të përdoret nga zemrat tona dhe enët e gjakut, nga çdo qelizë e vetme në trupin tonë. Organet e përfshira në këtë proces kryejnë me mjeshtëri shumë procese pa huti, gabim ose vonesë të çfarëdo lloji. Po të kishte ndonjë çarje në këtë harmoni, nuk do të kishte as frymëmarrje, as jetë.
E njëjta gjë vlen edhe për procesin e shikimit. Syri është një nga shenjat më të qarta të krijimit. Si syri i njeriut ashtu edhe ai shtazor janë shembuj të jashtëzakonshëm të krijimit të përsosur. Ky organ i mahnitshëm ofron shikim cilësor, me të cilin ende nuk mund të krahasohet teknologjia bashkëkohore e shekullit njëzet e një. Por, mos harroni kurrë se një sy funksionon vetëm si tërësi me të gjithë komponentët e tij. Për shembull, nëse të gjithë komponentët e syrit, si kornea, konjunktiva, irida, bebëza, thjerrëza, retina, koroidet, muskujt dhe gjëndrat e lotëve të ishin tërësi, por po t’i mungonte vetëm një qepallë e vetme, syri do të dëmtohej dhe do të bëhej i paaftë për të parë. Në të njëjtën mënyrë, vetëm dështimi i prodhimit të lotëve do të shkaktonte tharje të syrit, dhe, në fund verbërinë. Ky fakt ngre një pyetje jetike: Kush e krijoi syrin dhe aftësinë e tij për të parë nga asgjëja?
Sigurisht, nuk është poseduesi i syrit që vendos vet për të krijuar syrin e tij. Sepse, është me të vërtetë e palogjikshme të supozohet se një qenie, madje e pavetëdijshme për konceptin e "shikimit," të mund të vendosë mbi nevojën e tij dhe për krijimin e një syri në trupin e vet. Duke qenë kështu, realiteti është se ekziston një Qenie me urtësi superiore, e Cila krijoi qeniet e gjalla me aftësi shikimi, dëgjimi dhe kështu me radhë. Disa njerëz që nuk mund ta vlerësojnë All-Allahun ashtu si e meriton Ai pohojnë se qelizat e pandërgjegjshme fituan shikimin dhe dëgjimin, aftësi që kërkojnë vetëdije, me vullnet dhe aftësi vetjake. Megjithatë, është qartë e dukshme se nuk mund të jetë kështu. Kur'ani tregon se kush e dhuron shikimin si më poshtë:
Thuaju: “Është Ai që ju ka krijuar dhe ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, e megjithatë ju pak e falënderoni!” (Sure Mulk: 23)
Siç shihet në ajetin e mësipërm, është Allahu i Cili krijon të gjitha këto sisteme që funksionojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Detaje të panumërta në trupat tonë dhe në organizmat e tjerë shfaqin me radhë fuqinë dhe madhështinë e All-Allahut, dhe na zbulojnë ne të vërtetën se Ai përfshinë çdo gjë me dijen e Tij. Megjithatë, në vend se të reflektojnë për këtë disa njerëz e kanë më të lehtë t’ia kthejnë shpinën këtij realiteti. Mirëpo, Allahu inkurajon njeriun që të shikoj rreth vetes dhe të reflektojë mbi madhështinë e Tij:
Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij. (Sure Talak: 12)
Kurrë mos harroni sa afër jush është Allahu dhe se Ai përfshinë çdo gjë. Çfarëdo që mund t’ju shkojë në mendje mu në këtë moment, diçka që keni përjetuar në fëmijërinë tuaj, si dhe planet tuaja për dy vitet e ardhshme janë të gjitha të përfshira në dijeninë e All-Allahut. Pushteti i Tij mbi të gjitha qeniet vazhdon pandërprerë, ditën dhe natën. Allahu na informon për këtë të vërtetë në Kur'an si vijon:
Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. (Sure Kaf: 16)
Allahu i di të fshehtat e të gjitha gjërave, duke përfshirë edhe sekretet dhe mendimet ndryshe të panjohura për qeniet njerëzore. Allahu, i Cili përfshin gjithë njerëzimin gjithandej, është me ne, pa marrë parasysh ku jemi apo çfarë bëjmë:
Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë. (Sure Junus: 61)
Pavarësisht nga ky fakt, disa njerëz pandehin se Allahu është shumë larg. Sipas arsyetimit të tyre të gjymtë, Allahu jeton përtej një planeti të largët, që ndërhyn herë pas here në "çështjet e kësaj bote", ose që nuk ndërhyn asnjëherë. Ata mendojnë se Ai e krijoi gjithësinë dhe pastaj e la atë të pakontrolluar (Pa dyshim se Allahu është i pastër nga ajo që i përshkruajnë ata.) Megjithatë, ky është një gabim i qartë. Allahu është kudo dhe prania e Tij përfshinë çdo gjë. Ai rrethon çdo vend, nga lindja në perëndim, dhe nga veriu në jug.
Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë dhe Allahu i përfshin të gjitha (në dijen e Tij). (Sure Nisa': 126)
Kudo që shkoni, Allahu është aty, edhe nëse është cepi më i largët i tokës. Ai ju rrethon madje edhe në këtë moment, Ai është më afër jush sesa damari i qafës tuaj. Ai sundon trupin tuaj, dhomën tuaj, dhe qytetin ku jetoni, tërë gjithësinë, dhe të gjithë botërat që ju nuk jeni në gjendje t’i shihni, për më tepër, Ai ka njohuri për të kaluarën dhe të ardhmen e tyre. Disa njerëz, të cilët i shpërfillin këto fakte absolute, mund të arrijnë të fshehin mendimet e tyre dhe shumë vepra që ata kryejnë nga njerëzit e tjerë. Por, ata harrojnë faktin se ata nuk mund t’i fshehin ato prej Allahut. Në të vërtetë, Allahu është me ta edhe kur ata bëjnë komplot.
Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse dijenia e tyre nuk mund ta ngërthejë Atë. (Sure Ta Ha : 110)
Ju nuk mund ta dini kurrë se çfarë do të përjetoni në një çast të caktuar, por Allahu e di. Prandaj, ju tashmë jeni të bindur dhe i jeni dorëzuar Allahut, qoftë me apo pa vetëdije për këtë.
Pa marr parasysh se a e zbuloni apo e mbani të fshehur atë që është në veten tuaj, Allahu e di atë. As edhe një fjalë e vetme që ju pëshpëritni nuk mund të mbahet e fshehur nga Ai. Nuk ka sekrete për Allahun, Ai i di fshehtësitë tuaja dhe çdo gjë që ju mendoni apo e mbani të fshehur.
Kurrë mos harroni se çdo gjë në sipërfaqen e tokës ka nevojë për Allahun, ndërsa Ai është i lartë mbi çdo gjë dhe i pastër nga çdo mangësi. Allahu nuk ka nevojë për asgjë. Ai është mbi dobësitë njerëzore, si gjumi, uria, etja dhe lodhja. Çdo njeri me siguri do të vdes, pos Allahu, i Gjalli, do të mbetet gjallë përjetësisht:
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! (Sure Bekare: 255)
Kurrë mos harroni se Allahu ka çdo gjë nën kontrollin e Tij. Siç është theksuar në Kur'an, "Nuk ka gjethe që bie pa dijeninë e Tij." (Sure En'am: 59) Çdo gjë ndodh me vullnetin e Allahut dhe vetëm me urdhrin e tij. Po kështu, Ai drejton çdo çështje nga qielli në tokë. Shumë njerëz janë të prirur ta kufizojnë këtë koncept të "çdo çështje" vetëm në dukuritë e natyrës dhe ngjarje të tilla si lindja dhe vdekja. Megjithatë, çdo ngjarje ndodhë sepse Allahu urdhëron kështu. Po ashtu, çdo punë kryhet dhe çdo sistem funksionon, sepse Allahu dëshiron kështu. Zbulimet teknologjike, administrimi i cilit do shtet në botë, rregullimi i çështjeve të tyre sociale dhe ekonomike, përparimet në art, çdo kompani biznesi, performanca e saj vjetore, çdo fëmijë që hap sytë e tij në këtë botë, çdo moment që një person kalon në jetën e tij, të gjitha mbahen nën kontrollin e Allahut. Asnjë vendim, qoftë i rëndësishëm apo i parëndësishëm, nuk mund të merret pa lejen e Allahut. Asnjë veprim nuk ndërmerret pa Vullnetin e Tij. Në të njëjtën mënyrë, funksionimi i triliona qelizave në trupin tonë, funksioni përkatës që çdo pjesë e qelizës kryen brenda këtyre qelizave, sistemet që i mbajnë këto qeliza në jetë, dhe hollësi tjera të panumërta, janë nën kontrollin e Tij. Përveç kësaj, toka rrotullohet pa pushim në hapësirën e pafund, dhe të gjitha sistemet nga ai i frymëmarrjes deri tek ai i riprodhimit, e bëjnë jetën e një milingone të vetme në këtë planet të mundshme, sepse Zoti ynë i ka ata nën kontrollin e Tij. Ky fakt rrëfehet në Kur'an si vijon:
Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë. (Sure Hud: 56)
Çdo njeri i nënshtrohet Allahut. Allahu, i Gjithëdijshmi, përfshin çdo gjë në dijen e Tij. Është Ai i Cili u jep njohuri njerëzve, që nga fëmija i vogël e deri tek një shkencëtar. Ai është i mirinformuar për të fshehtën, si dhe të dukshmen. Ai përcakton numrin e çdo gjëje në qiej dhe në tokë, duke përfshirë yjet, pemët, kafshët, njerëzit, si edhe sasinë e shiut që bie në tokë:
S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. (Sure Merjem: 93-94)
Çdo gjë që ndodhë në çdo cep të gjithësisë është nën kontrollin e Allahut. Ai e di çdo aspekt të ngjarjeve, qofshin të fshehta apo të hapura. Ai është i gjithëdijshëm gjithashtu, jo vetëm për ne, por për çdo gjë në qiej, në tokë dhe çka ka në mes tyre. Allahu është Zotëruesi i të gjitha botëve. Duke qenë kështu, kurrë mos harroni se asgjë, madje edhe diçka e rëndësisë së vogël, nuk mund të jetë e fshehtë për Të, dhe se të gjitha mendimet dhe të gjitha veprimet, duke përfshirë edhe tuajat, janë nën kontrollin e Tij. Kjo ngase Allahu e di atë që e përjeton njeriu gjatë gjithë jetës së tij, për të cilën Ai mban llogari, në mënyrë të detajuar. Allahu nuk harron asgjë asnjëherë
Kurrë mos harroni se është Allahu Ai që ju ka dhënë gjithçka. Hidhni një sy përreth jush, çdo gjë që ju shikoni është përgatitur me përpikëri për të përmbushur nevojat tuaja dhe është vënë në shërbimin tuaj. Tani shikoni në qiell dhe përpiquni të njihni çdo gjë që ju shikoni përreth. Kjo është mënyra që të kuptoni më mirë se është Allahu Ai i Cili na jep shumë të mira që ne i shohim apo nuk arrijmë t’ i shohim, dhe është Allahu Ai të Cilit duhet t’i jemi mirënjohës. Është Allahu i Cili krijon trupin e njeriut, i cili ende mbetet një mister, pavarësisht nga arritjet më të mëdha teknologjike, dhe mban në jetë funksionimin e të gjitha organeve të tij në harmoni të përsosur. Është gjithashtu Allahu i Cili krijon bagëtinë dhe i vë ato në shërbim të njerëzve, i Cili i rrit ato për mish, produkte të qumështit, lesh, lëkurë, dhe i bën ato të përshtatshme për t’i kalëruar dhe për bartjen e ngarkesave, i Cili lëshon shiun nga qielli në tokë dhe bën që të mbijnë prej saj fruta dhe bimë me shije të ndryshme nga po ajo tokë e njëjtë, i Cili vë qindra miliarda galaktika në lëvizje në një mënyrë mahnitëse, i Cili e  bën të përshtatshme ditën për punë dhe natën për pushim, i Cili bën që dielli të rrotullohet në mënyrë që t’i plotësojë kërkesat e të gjitha gjallesave, i Cili krijon detin në formën më të përshtatshme në mënyrë që qeniet njerëzore të mund të marrin ushqim nga ai dhe të udhëtojnë në të. Në një ajet, Allahu shpall:
Ai e ka krijuar njeriun prej një pike fare, por ja që ky bëhet kundërshtar i hapët! Kafshët Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju ushqeheni dhe shikoni pamje të bukura, kur i ktheni nga kullota dhe, kur i nxirrni në kullotë. Ato mbajnë barrët tuaja deri në vende të largëta, tek të cilat ju do të arrinit me mundim të madh; me të vërtetë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë. (Ai ka krijuar) edhe kuajt, mushkat dhe gomarët, që ju t’i shaloni dhe t’i mbani për bukuri. Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini. Allahut i takon që t’ju tregojë rrugën e drejtë, kur ka prej tyre edhe të shtrembra; sikur të donte Allahu, do t’i udhëzonte të gjithë. Është Ai që zbret nga qielli shi, i cili ju siguron ujë për të pirë dhe bën që të rriten bimët, që shërbejnë si ushqim për kafshët. Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë. Ai ka bërë që ju ta shfrytëzoni natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Edhe yjet janë vënë në shërbimin tuaj me urdhrin e Tij. Njëmend, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë. Ai ka krijuar në Tokë për ju çdo gjë me ngjyra dhe cilësi të ndryshme. Natyrisht që në këto ka shenja për njerëzit që ua vënë veshin. Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës. Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju, dhe ka krijuar lumenj e rrugë për të arritur aty ku synoni. Ai ka vënë edhe shenja të tjera, si dhe yjet, nëpërmjet të cilave njerëzit orientohen. Atëherë, a është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?! A nuk po merrni vesh? Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë. (Sure Nahl: 4-18)
Çdo njëra prej mirësive që njeriu vështirë se mund t’i numërojë gjatë jetës së tij kanë ardhur në jetë me Vullnetin e Zotit tonë, i Cili rregullon çdo gjë. Allahu na kujton për këtë realitet me një shembull të habitshëm:
Sikur të gjithë drurët, që gjenden në Tokë, të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Sure Lukman: 27)
Kurrë mos harroni se është Allahu i Cili ju ka dhënë gjithë pasurinë dhe të mirat që posedoni, dhe se Ai është Pronari i vërtetë i tyre. Kjo është për shkak se pushteti i qiejve dhe i tokës dhe çdo gjë në mes tyre i takon Allahut. Ai ndanë çfarë të dojë, për këdo që Ai dëshiron. Kur Ai u jep fund jetëve të tyre, ai është përsëri i vetmi trashëgimtar. E vërteta e vetme është se pronari i vërtetë i të gjitha shtëpive, makinave, mallrave dhe pronave është Allahu.
Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që ato përmbajnë. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë. (Sure Ma'ide: 120)
Kur t’iu vijë vdekja, ju do të lëni pas çdo gjë që keni. Pasuria juaj, pozita, gjërat personale, thënë shkurt, çdo gjë që keni dashur në këtë botë, nuk do të jetë më me ju. Trupi juaj i zhveshur, i mbështjellur në një pëlhurë të thjeshtë, do të vendoset në një gropë. Ndërkohë, shpirti yt do të kthehet tek Allahu, i vetëm. As pozita juaj në shoqëri, as emri juaj dhe as pasuria juaj nuk do t’ju bëjnë aspak dobi. Ato ekzistuan vetëm për t’ju vënë ju në sprovë. Ju nuk jeni pronari i vërtetë i tyre, çdo gjë që ju keni, i keni ngase Allahu u jep juve ato. Nëse Allahu i merr ato përsëri për ndonjë arsye, ju nuk do të mund t’i ktheni më kurrë ato.
Mos harroni kurrë se asgjë nuk ju ndodh ju, përveç asaj që Allahu ka caktuar për ju. Allahu mban njohurinë për çdo gjë që ndodh. Domethënë, çdo gjë është paracaktuar nga Allahu. Gjithë çka ndodhë është në përputhje me fatin e njeriut. Një person që gdhinë një ditë të re në mëngjes nuk e di kurrë se çfarë e pret atë gjatë pjesës tjetër të asaj dite. Edhe pse ai mund ta planifikoj me kujdes ditën e tij, ajo kurrë nuk do të dal ashtu siç e kishte planifikuar ai. Për më tepër, ai mund të përballet fare lehtë me ngjarje krejtësisht të papritura. I rrethuar nga një panjohuri e tillë, një person mund të qetësohet vetëm përmes njohjes se çdo ngjarje me të cilën ballafaqohet është caktuar nga Allahu veçanërisht për të, duke besuar në Të, dhe duke iu bindur fatit. Allahu ka njohuri për ngjarjet që ju nuk i kishit planifikuar dhe ato të gjitha ndodhin nën kontrollin e Tij. Në të njëjtën mënyrë, edhe ato që ju i kishit planifikuar janë gjithashtu nën kontrollin e Tij ...
Me të vërtetë, nuk ka vend apo moment në gjithësi që është i pavarur nga Allahu. Asgjë nuk mund të mbetet jashtë sundimit të Tij.
Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Sure Teube: 51)  
Asnjëherë mos harroni se çfarëdo që të ndodhë me ju, ndodhë sipas Vullnetit të Allahut dhe pa dyshim se është paracaktuar për një qëllim. Mos harroni se njeriu nuk ka rrugëdalje tjetër vetëm se të kërkoj strehim tek Ai, dhe se ai nuk ka mbrojtës as ndihmës tjetër pos Allahut:
A nuk e di ti se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës? Përveç Allahut ju nuk keni tjetër mbrojtës e as ndihmës? (Sure Bekare: 107)
Është Allahu i Cili na ndihmon të merremi me çfarëdo problemi gjatë një dite ose kur ne duam të bëjmë një punë. Përveç faktit se është Ai që na e bën këtë detyrë më të lehtë për ne, është përsëri Allahu i Cili e krijon atë punë dhe na mundëson ne që ta realizojmë atë. Nga ana tjetër, një person i cili e harron madhështinë e Allahut, i konsideron kolegët e tij, familjen e tij apo mësuesin e tij, si ata që mund ta ndihmojnë atë ...
Vërtet, këta njerëz mund të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë përmes njohurive dhe përvojës së tyre. Por ne duhet ta kemi parasysh se secili prej tyre është vetëm një mjet. Është kështu për arsye se Allahu ka krijuar një sistem të shkakut dhe pasojës në këtë botë. Për shembull, për të kultivuar mollë, një bujk duhet së pari të mbjellë farën, ta ujitë dhe t'i hedh pleh tokës. Këto janë shkaqet me të cilat Allahu shkakton një rezultat. Vetëm pas plotësimit të të gjitha këtyre parakushteve një bujk mund të shpresoj të korrë të korra të bollshme. Ndërkohë që kryejmë një punë, duhet gjithmonë të jemi të vetëdijshëm se ne mund të arrijmë një rezultat të dëshirueshëm vetëm me Vullnetin e Allahut, dhe se duhet të tregojmë mirënjohje të sinqertë për atë që Ai paracakton.
Mos harroni kurrë se është vetëm Allahu i Cili ju mbron nga rreziku, sëmundja, vuajtja dhe vështirësia. Përndryshe, do të mund ishte vetëm çështje e një çasti kur do të mund të ju ndodhte ndonjë fatkeqësi. Ju mund të mendoni se është mjeku juaj dhe barërat që merrni ato që ju shërojnë. Natyrisht, këto janë shkaqet me të cilat Allahu ju ka shëruar. Nuk ka asnjë arsye pse ju të mos përfitoni nga këto shkaqe, por në ndërkohë, ju duhet të mbani në mend se në fund të fundit është Allahu Ai që ju rikthen shëndetin. Përveç nëse dëshiron Allahu, as mjeku më i aftë, as barërat më të shtrenjta, as spitalet më të mira nuk mund t’ju ndihmojnë. Asnjëherë mos harroni se Allahu mund t’i sjellë sëmundje kujt të dojë pa ndonjë arsye, ashtu siç ia rikthen shëndetin atij që Ai dëshiron, përsëri pa ndonjë arsye. Kjo rrëfehet në Kur'an me fjalët e profetit Ibrahim si vijon:
...I Cili, kur sëmurem, më shëron. (Sure Shu’ara’: 80)
Duke harruar se Allahu posedon gjithë pushtetin, dhe në këtë mënyrë, të kërkosh ndihmë nga ai i cili nuk është në gjendje t’i ndihmojë as vetes së tij e lëre më dikujt tjetër, shpie vetëm në dështim, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër:
Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as ju e madje as veten e tyre. (Sure A'raf: 197)
Kurrë mos harroni se ju duhet ta keni vetëm frikën e Allahut dhe të kërkoni kënaqësinë e Tij. Askush të cilin ju mund ta vlerësoni apo ta konsideroni të rëndësishëm apo të fuqishëm nuk posedon në të vërtetë kurrfarë pushteti real. Duke qenë kështu, t’ia keni frikën apo ta doni dikë me frikën, respektin dhe dashurinë që i takojnë vetëm Allahut është një formë e idhujtarisë, një mëkat me të vërtetë të madh:
E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër. (Sure Bekare: 165)
Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka paralajmëruar njerëzit gjithashtu kundër kësaj forme të idhujtarisë:
Kushdo që e takon Allahun, duke mos i shoqëruar shok Atij, do të hyjë në Xhenet, dhe kushdo që e takon Atë si dikush i cili i ka shoqëruar Atij diçka, do të hyjë në zjarr. (Muslimi)
Kjo është një pikëpamje aq e rëndësishme për ta kuptuar. Nëse një person e bazon gjithë jetën e tij në të, ai do ta pranojë faktin se nuk ekziston asnjë qenie për t’ia pasur frikën, për t'iu nënshtruar ose për të qenë i nevojshëm për të, përveç Allahut. Duke vepruar kështu, ai person arrin lirinë në kuptimin e saj të vërtetë, dhe arrin pathyeshmëri, duke qenë i mbrojtur nga Krijuesi i tij, i Plotfuqishmi. Një person i tillë shpreson ta fitojë kënaqësinë e Allahut, i Cili i plotëson të gjitha nevojat e të gjitha qenieve, zbret siguri mbi robërit e Tij, i ndihmon të shtypurit dhe nevojtarët, i shpërblen plotësisht për atë që secili ka fituar:
Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës. (Sure Teube: 109)
Një nga gabimet më të mëdha që shumica e njerëzve e bëjnë është ky: ata e bazojnë gjithë jetën e tyre në ndjekjen e pëlqimit të njerëzve të tjerë. Megjithatë, çdo moment që jetohet dhe çdo vepër që bëhet për të fituar pëlqimin e njerëzve të tjerë, duke e harruar Krijuesin e vet, në fund vetëm se do të shpie në vuajtje. Për të zotët e mendjes, Allahu ka dhënë shembullin vijues në Kur'an:
Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?!... (Sure Zumer: 29)
Allahu u dhuron atyre prej robërve të Tij të cilët jetojnë në pajtim me urdhrat e Tij një jetë të mirë si në këtë botë ashtu edhe në jetën e përtejme. Megjithatë, ata që janë larg nga ato praktika që do ta kënaqnin Atë, të cilët kërkojnë ndihmë nga të tjerët të cilët janë robër po aq të pafuqishëm të Allahut si ata vet, në fund të fundit vetëm se do të vuajnë. Lidhur me këtë, një ajet thotë:
Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes. (Sure Junus: 44)
Për më tepër, ata që i adhurojnë të tjerët pos Allahut do të braktisen dhe do të jenë të poshtëruar dhe të braktisur:
Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur! (Sure Isra': 22)
Ata të cilët nuk çajnë kokën dhe janë harrestar për ekzistencën e Allahut bëjnë një jetë të vështirë në këtë botë. Zemrat e tyre kurrë nuk mund të gjejnë paqe apo lumturi në këtë jetë. Në fakt, kjo vuajtje është vetëm shpërblimi i tyre për përshkrimin e ekzistencës së sistemeve të përsosura në këtë botë rastësisë. Në këmbim të refuzimit të tyre, një zjarr përcëllues i pret ata në botën tjetër.
Mos harroni kurrë se "frika ndaj Allahut" është parimi themelor i Islamit. Allahu u dhuron vetëm atyre që kanë drojën e Tij aftësinë për të gjykuar në mes të së drejtës dhe të gabuarës. Kjo aftësi dallimi është me të vërtetë një bekim i madh që i është dhënë njeriut:
O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe. (Sure Enfal: 29)
Kur'ani gjithashtu përmend ata të cilët nuk e vlerësojnë Allahun ashtu siç i takon Atij, dhe të cilët nuk kanë frikë ndaj Tij, përkundër asaj se janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Tij:
Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni? (Sure Junus: 31-32)
Personi i përshkruar në ajetin e mësipërm është i vetëdijshëm për ekzistencën e Allahut dhe madje e pohon këtë. Por, ai nuk ndien kurrfarë frike ndaj Tij. Besimtarët e vërtetë, megjithatë, ndiejnë frikë të thellë ndaj Zotit të tyre. Duke pasur frikën e Ditës së Gjykimit, ata janë të ndjeshëm ndaj urdhërimeve të Tij.
Si pasojë, pa marr parasysh se a i kujton apo jo një person të gjitha ligjet e Allahut në mendjen e tij dhe bëhet rob i Tij apo i shpërfill ato, kjo nuk e ndryshon realitetin e fundit se ai po nxiton drejt asaj dite kur do të kthehet te Zoti i tij:
O njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt. (Sure Inshikak: 6)
Pasi që është kështu, mos harroni kurrë se nuk ka fuqi tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, bartësit të pushtetit absolut. Ata që nuk janë në dijeni të këtij fakti i adhurojnë të tjerët pos Allahut dhe, përveç kësaj, iu frikësohen atyre ashtu siç do të duhej t’i frikësohen Allahut. Megjithatë, asnjë njeri apo shoqëri nuk ka fuqi pos asaj të Allahut. Çdo gjë i nënshtrohet Atij. Çdo gjë në qiej e në tokë i nënshtrohet vullnetit të Allahut, dhe të gjitha janë, me dëshirë apo pa të, nën kontrollin e Tij. Nga një qelizë të vetme, deri tek miliarda galaktika, nga njerëzit tek kafshët, nga malet tek erërat, të gjitha qeniet i nënshtrohen Atij. Prandaj, mos harroni të falënderoni Allahun, ashtu siç këshilloheni në ajetin vijues:
..e të mbaheni fort mbi to, e pastaj t’i kujtoni dhuntitë e Zotit tuaj dhe të thoni: “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet.” (Sure Zuhruf: 13)
Përveç se me vullnetin e Allahut, askush nuk mund të ndërmarrë një veprim ose ta shqiptoj as edhe një fjalë të vetme. Kjo është arsyeja pse çdo fjalë që ju dëgjoni ose çdo ngjarje dëshmitar i së cilës jeni është prej Allahut, Ai që është Mbrojtës i juaji dhe Mik i vetëm i vërtetë i juaji... Në qoftë se jeni një njeri që beson, atëherë ju e dini se një e mirë dhe bukuri absolute fshihet madje edhe pas atyre gjërave që përndryshe do t’ju dukeshin të këqija. Allahu e di këtë edhe pse ju mund të mos e dini atë. Pa marrë parasysh se me çka ballafaqoheni në jetë, asnjëherë mos harroni të silleni duke pasur në mendje njohurinë për këtë fakt.
Kurrë mos harroni se Allahu është që falë, dhe se gjithmonë mbetet mundësia për tu penduar. Pa marrë parasysh se çfarë gabimi bëni, në qoftë se i drejtoheni Allahut, me pendim të sinqertë dhe me qëllim të prerë për të mos e përsëritur atë, ju gjithmonë do ta gjeni Allahun gjithnjë-falës dhe mëshirues. Allahu thotë se Ai i falë të gjitha gabimet dhe mëkatet me kusht që robërit e Tij t’i braktisin ato një herë e përgjithmonë:
Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. (Sure Zumer: 53)
Në këtë botë, ekziston gjithmonë mundësia për tu penduar dhe për të shpresuar në faljen për gabimet dhe mëkatet e bëra. Në fenë e Allahut, njeriut nuk i duhet të bart barrën e veprave të këqija të tij nga e kaluara. Duke i kërkuar falje Allahut, dhe duke iu drejtuar Atij në mënyrë të sinqertë, kjo do t’ia lehtësojë atij këtë barrë. Që nga ai moment, ai do të jetë përgjegjës vetëm për veprat dhe mendimet e tij që do të ndodhin pas kësaj. Ndërkohë, mos harroni kurrë se Allahu pranon vetëm një pendim të sinqertë dhe jo pendim që një person kërkon kur i afrohet vdekja.
Madje edhe Faraoni, egërsia dhe arroganca e të cilit është përmendur në Kur'an, vendosi të besoj, kur e kuptoi se do të mbytej. Allahu zbulon si vijon lidhur me pendimin në momentin e vdekjes:
Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm. (Sure Nisa': 17-18)
Kurrë mos harroni se Allahu është pafundësisht i durueshëm. Ai u jep afat disa njerëzve madje edhe pasi të kenë bërë ndonjë gabim. Megjithatë, nëse një mëkatar nuk ndëshkohet menjëherë ai nuk duhet të lejojë që kjo ta mashtrojë atë. Kjo për arsye se pas veprave të këqija të tij, Allahu i jep robit të vet një kohë të caktuar për t’u përmirësuar. Në qoftë se ai person i kupton gabimet e tij dhe kërkon falje, ai e gjen Allahun Gjithnjë-falës. Nëse, në anën tjetër, ai vazhdon me gabime dhe rebelohet, ai me siguri se do t’i shijojë pasojat e këqija të veprave të tij:
Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të mbrapshtive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë në Tokë. Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast. (Sure Nahl: 61)
Kurrë mos harroni se nuk mund të jesh tjetër pos rob i Allahut; sepse Allahu e ka krijuar njeriun për ta adhuruar Atë:
Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. (Sure Dharijat: 56)
Të jesh i nënshtruar ndaj Zotit tonë, që na jep çdo gjë që kemi, që na krijoi dhe na dhurojë jetë, të cilës Ai do t'i japë fund kur të dëshirojë, është si të mbahesh fort për litarin më të sigurt që nuk do të zgjidhet kurrë:
Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punë-mirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë. (Sure Lukman: 22)
Pra, mos e harroni kurrë “ALLAHUN, ZOTIN TONË”
Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje! Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë. (Sure En'am: 102-103)

Kurrë Mos Harroni Se Udhërrëfyesi i Vetëm Është Kur’ani

Kurrë Mos Harroni Se Udhërrëfyesi i Vetëm Është Kur’ani

Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed),
për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.
(Sure Ibrahim: 1)
Allahu e zbriti Kur'anin për njerëzit për të reflektuar për të, në mënyrë që ata të mund të dinë se Ai është Zoti i vetëm, për të mësuar se si ta adhurojnë Atë, dhe të bëhen të vëmendshëm. Kur'ani, udhëzuesi ynë i vetëm, na pajis ne me shpjegime për gjithçka që na nevojitet, na tregon rrugën e cila e kënaq Allahun, dhe na jep lajmin e mirë për përfundimin e mrekullueshëm të nënshtrimit si rob i Tij:
...Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët. (Sure Nahl: 89)
Kur'ani është libri që Allahu ua zbriti robërve të Tij me të vërtetën. Ai është këshillë, shërim dhe mëshirë për besimtarët. Besimtarët që mund ta kuptojnë këtë realitet të rëndësishëm reflektojnë thellësisht mbi çdo ajet të Kur'anit, dhe e jetojnë gjithë jetën e tyre në përputhje me të. Përgjigjja e çdo pyetje që ata kërkojnë është dhënë në Kur'an:
Ne u kemi zbritur atyre një Libër, të cilin e kemi shpjeguar gjerësisht, që të jetë udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë. (Sure A'raf: 52)
Pasi që Kur'ani shpjegon çdo gjë që ka të bëjë me qenien rob i Allahut, njeriu është përgjegjës për të jetuar në pajtim me Kur'anin, duke i respektuar kufijtë e përcaktuar në të dhe duke iu bindur urdhrave të tij. Në Ditën e Llogarisë, njerëzit do të merren në pyetje vetëm duke u bazuar në këtë libër.Prandaj, mos harroni kurrë se mënyra se si silleni, mendimet dhe vendimet tuaja, me pak fjalë, e tërë mënyra e jetës suaj, duhet të jetë në pajtueshmëri vetëm me Kur'anin, dhe jo me atë që shumica e njerëzve duan. Të jetuarit në pajtim me Kur'anin është rruga e vetme drejt shpëtimit.
Përveç kësaj, është e nevojshme që Kur'ani të lexohet dhe kuptohet për të jetuar në pajtim me fenë e shpallur në të, edhe pse njerëzit rreth jush mund të jenë larg të jetuarit në përputhje me të. Shumica e njerëzve mund të mos e kenë lexuar kurrë Kur’anin. Në mesin e atyre që janë të njohur me Kur'anin, në anën tjetër, mund të ketë të atillë që vetëm i mësojnë përmendësh ajetet në gjuhën arabe, pa reflektuar për kuptimin e tyre. Ata madje mund ta konsiderojnë Kur’anin si një lloj hajmalie (Pa dyshim se Allahu është mbi gjithë atë që ata i përshkruajnë Atij në mënyrë të gabuar) dhe kështu e mbajnë në raftet e sipërme të dollapëve. Por në qoftë se ajo që dëshironi të arrini është shpëtimi, ju duhet t’iu bindeni urdhrave të Allahut, dhe jo të atyre të shumicës së njerëzve. Ju duhet t’i lexoni paralajmërimet që Allahu ua zbriti dhe t’i dini përmendësh urdhrat e Tij. Arsyeja pse është shpallur Kur'ani është bërë e qartë në ajetet e mëposhtme:
Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur! (Sure Ibrahim: 52)

Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët. (Sure Sad: 29)
Siç shihet nga ajetet e cituara më lartë, Allahu na informon se vetëm njerëzit e mençur, të cilët posedojnë besimin që përshkruhet në Kur'an, mund të marrin mësim. Dhe mbani mend se Kur'ani është bërë i lehtë për ne për të reflektuar dhe për të marrë këshilla:
“Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!” Ata që Ne u kemi dhënë Shkrimet e shenjta, e dinë se Kurani është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë! (Sure En'am: 114)
Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në vargje të qarta dhe, sigurisht, Allahu udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. (Sure Haxhxh: 16)
Përveç kësaj që thuhet në këto ajete, ka edhe një fakt që ne duhet ta mbajmë në mend: Kur'ani është një udhëzues për besimtarët, ndonëse ai mund t’i lërë të humbur jobesimtarët. Ata që nuk besojnë se do të grumbullohen në prani të Zotit të tyre në Ditën e Gjykimit dhe se Kur'ani është libri në të vërtetën i dërguar nga Zoti, nuk arrijnë të kuptojnë qëllimin hyjnor të ajeteve të tij. Ata mbeten të shurdhër dhe të verbër ndaj tyre. Kjo gjendje rrëfehet si vijon në Kur'an:
Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vëmë një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në jetën e ardhshme. Ne kemi vënë mbulesa në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), dhe ua kemi shurdhuar veshët. Kur ti përmend në Kuran vetëm Zotin tënd, ata kthejnë shpinën, duke ikur. (Sure Isra': 45-46)
Pa dyshim, ky qëndrim i jobesimtarëve rezulton nga mungesa e sinqeritetit dhe prirja e tyre për të ndjekur trillet dhe dëshirat e tyre. Shembuj të kësaj mungese të të kuptuarit të pranishme në mesin e jobesimtarëve janë si më poshtë:
Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë; që të mos dyshojnë ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët e vërtetë dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?” Kështu, Allahu lë në humbje atë që do dhe çon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit. (Sure Muddeththir: 31)
Besimtarët, në anën tjetër, posedojnë një gjendje krejtësisht tjetër shpirtërore. Sapo ata dëgjojnë ajetet e Allahut, ata i binden kësaj porosie më të bukurës, dhe kështu, e arrijnë shpëtimin si në këtë botë ashtu edhe në atë të përtejmen. Qëndrimi tipik për një besimtar ndaj shenjave të Allahut rrëfehet në Kur'an si vijon:
Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush. (Sure Zumer: 23)
Mos harroni kurrë se, në qoftë se keni vërtetë frikë ndaj Allahut, zemra juaj duhet të zbutet kur i dëgjoni ajetet e tij. Kjo ngase Allahu na ka informuar se besimtarët me besim të sinqertë do të ketë aftësinë për të kuptuar Kur'anin si libër në të vërtetën. Vetëm jobesimtarët ushqejnë dyshime në lidhje me saktësinë e tij:
...dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë. Ata që nuk besojnë do të vazhdojnë të dyshojnë në të (Kuran), derisa t’u vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të papritur ose derisa t’u vijë dënimi i Ditës Shterpë. (Sure Haxhxh: 54-55)
Kurrë mos harroni se edhe ju do të gjykoheni në bazë të Kur'anit në Ditën e Gjykimit. Allahu e zbulon këtë të vërtetë në ajetin vijues;
Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë. Pa dyshim që Kurani është përkujtues për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni! (Sure Zuhruf: 43-44)
Se shumica e njerëzve janë larguar nga Kur'ani, dhe se pothuajse e kanë braktisur atë, nuk duhet të ju mashtrojë. Kjo ndodhë për shkak se, njerëzit e konsiderojnë si të garantuar një jetëgjatësi prej 60-70 vjet, ata janë të prirur të presin vitet e vonshme të jetës së tyre si kohën e duhur për ta pasuar Kur’anin. Ata vijnë në përfundimin e gabuar se të jetuarit në pajtim me fenë do t’i privojë ata nga kënaqësitë e rinisë. Megjithatë, me këtë arsyetim të pasinqertë, ata përgatisin një fund të hidhur për veten e tyre.
Udhëzuesi i vetëm që ju shpjegon se si të jeni robër të Allahut është Kur’ani. Ju duhet ta ndërtoni jetën tuaj sipas urdhrave të tij. Kjo për arsye se, në Ditën e Gjykimit, besimtarët dhe jobesimtarët njëlloj, do të gjykohen në bazë të bindjes së tyre ndaj Kur'anit. Asnjëherë mos harroni se mund të shpresoni të arrini Parajsën dhe shpëtimin nga dënimi i përjetshëm vetëm nëse zbatoni atë që urdhëron Kur’ani në mënyrë të sinqertë.

Kurrë Mos Harroni Se Secili Moment Që e Jetoni Është Pjesë e Fatit Tuaj

Kurrë Mos Harroni Se Secili Moment Që e Jetoni Është Pjesë e Fatit Tuaj

Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.
(Sure Kamer: 49)
Siç thuhet në ajetin e mësipërm, çdo gjë është paracaktuar nga Allahu, i Plotfuqishmi. Sepse Allahu, që i duhet vetëm të jap urdhrin "Bëhu" që ajo të bëhet, nuk ka paracaktuar vetëm fatin e njerëzve, por edhe të të gjitha qenieve. Ata që vërtetë e besojnë këtë të vërtetë absolute i dorëzohen në mënyrë të pakushtëzuar fatit që Allahu e ka përcaktuar për ta me urtësinë e Tij të pafund. Mos harroni kurrë se, me dëshirë apo pa dëshirë, çdo gjë është nën kontrollin e Allahut dhe i nënshtrohet Atij.
Megjithatë, njerëzit kanë mendime shumë të gabuara për fatin. Këto mendime, të frymëzuara kryesisht nga pikëpamjet e ndryshme të devijuara, shprehen pa u menduar shumë për to. Për më tepër, ata e shpërfillin faktin se kjo është diçka që nuk e kënaq Allahun. Ata nuk shmangen nga përdorimi i shprehjeve vulgare, teksteve apo poezive që nënkuptojnë mospranimin e fatit. Si dëshmi e kësaj mënyre të mangët të të kuptuarit, ndodhë shfaqja e frazave të pakuptimta të tilla si “për të mposhtur fatin” apo “për të ndryshuar fatin.” Ata të cilët besojnë në koncepte të tilla i marrin shpresat dhe aspiratat e tyre si “fat,” dhe, në dështimin e tyre për të kuptuar se këto janë vetëm shpresa, ata supozojnë se fati nuk ka arritur të vazhdojë ashtu siç është paracaktuar dhe kështu ka ndryshuar. Arsyetimi i tillë irracional është tipik për ata që dështojnë ta kuptojnë fatin në mënyrë të drejtë.
Fati është krijim i Allahut dhe njohuri e pafund e të gjitha ngjarjeve, qoftë të kaluara apo të ardhme. Allahu krijon kohën dhe hapësirën nga asgjëja, i mban ato nën kontrollin e Tij, dhe nuk është i varur Vet nga ato. Çdo element i çdo gjëje që ndodh, ka ndodhë apo do të ndodhë, moment pas momenti, janë të paracaktuara në sytë e Allahut.
Kurrë mos harroni se Allahu e krijon kohën dhe kështu nuk është i varur prej saj. Prandaj, Ai nuk është thjeshtë duke shikuar se çfarë po ndodhë dhe duke pritur të shoh pasojat e tyre.
Në sytë e Tij, fillimi dhe përfundimi i çdo ngjarje, dhe pozita e saj përkatëse në përjetësi, janë të njohura. Çdo gjë është e përcaktuar dhe është përfshirë në fat. Prandaj, njeriut i mungon fuqia për të bërë çfarëdo ndryshime në të. Në anën tjetër, fati është një faktor i vërtetë vendimtar mbi njeriun. Çdo moment të jetës së tij është i ngujuar brenda tij. Një person nuk mundet të dal madje as edhe jashtë kufijve të fatit, e lëre më ta ndryshojë atë. Kjo është e ngjashme me shembullin e një aktori, i cili përvidhet jashtë një video-kasete, duke siguruar një ekzistencë të veçantë për të hequr apo për të shtuar skena të filmit në të cilin ai është një aktor. Kjo pa dyshim se është një situatë e palogjikshme që është e pamundur të ndodhë.
Është e qartë, fraza të tilla si “mposhtja e fatit” ose “ndryshimi i rrjedhës së fatit”, nuk janë tjetër pos ide të gabuara. Mos harroni kurrë se një person i cili thotë se e ka ndryshuar fatin e tij në fakt është duke shqiptuar diçka që është paracaktuar që ai ta thotë.
Për shembull, mund të mos ketë asnjë fije shprese që një pacient të shërohet. Por, shërimi i tij i papritur nuk nënkupton se ai e mposhti fatin e tij, dhe as se ai ishte ndryshuar nga mjekët e tij. Kjo thjesht tregon se koha e përcaktuar për të nuk kishte ardhur akoma. Ashtu si çdo gjë, kjo është, gjithashtu, e përcaktuar në sytë e Allahut dhe është pjesë e fatit:
...Jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë! (Sure Fatir: 11)
Çdo shpirt vdes vetëm me vendimin e Allahut, në kohë të caktuar... (Sure Al 'Imran: 145)
Duke qenë të varur nga koha dhe hapësira, nuk ka gjasa që ne të kemi një kuptim të plotë të fatit ngase Allahu na krijon ne dhe fatet tona, dhe Ai është i pavarur nga çdo gjë. Çfarëdo që të ndodhë me ju, besoni se Allahu është i pavarur tërësisht nga koha dhe hapësira.
Ka edhe një fakt tjetër që ju duhet të mbani në mend: Të gjitha ngjarjet janë planifikuar nga Allahu në atë mënyrë që nga ato të kenë dobi feja dhe besimtarët. Duke qenë kështu, një njeri që beson gjithmonë shfaq bindje për ngjarjet me të cilat ballafaqohet. Harresa ose shpërfillja e faktit se të gjitha situatat në jetë janë të paracaktuara nga Allahu është dëmi më i madh që ndonjëherë mund t’i bëni vetes suaj, që nuk sjellë asgjë tjetër, pos shqetësime serioze. Sidoqoftë, se a e pranon këtë fakt njeriu apo jo, kjo nuk do të ndryshojë atë që është e paracaktuar për të, në fund të fundit rrjedha e të gjitha çështjeve është e paracaktuar nga fati:
S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Sure Hadid: 22)
Siç bëhet gjithashtu e qartë nga ky ajet, çfarëdo që i ndodhë dikujt është pa dyshim e paracaktuar nga Allahu, e nëse njeriu beson në këtë apo jo, kjo nuk e ndryshon këtë fakt. Të gjitha punët që ndodhin në sipërfaqen e tokës, duke përfshirë lindjen dhe vdekjen e çdo personi, ndodh me Vullnetin e Allahut pikërisht në kohën e paracaktuar – as edhe një moment më herët apo më vonë.
Është Ai që ju krijoi nga balta dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përtejme (Ditën e Kiametit). Por përsëri ju dyshoni.  (Sure En'am: 2)
Pasi që asgjë nuk ndodh as në tokë e as në shpirtrat e njerëzve pa Lejen e Allahut, të mbështetësh gjithmonë besimin tënd në Allahun është një dispozitë që Allahu e kërkon nga robërit e Tij. Gjithashtu, kjo është ajo për të cilën njeriu është i prirur në mënyrë të natyrshme:
Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Sure Teube: 51)
Siç është thënë në ajetin "... Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe të mirë dhe te Ne do të ktheheni." (Sure Enbija': 35), Allahu i vë besimtarët në sprovë në disa mënyra. Për këtë qëllim, përveç gjërave që ata i konsiderojnë të mira, gjëra të tjera që duken të dëmshme për besimtarët u ndodhin atyre. Por, mos harroni kurrë se pasi çdo gjë është krijuar me Vullnetin e Allahut, ato gjithmonë japin rezultatet më të mira:
…Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini. (Sure Bekare: 216)
Ata që besojnë në Allahun dhe ndjekin gjithmonë rrugën e Tij gëzojnë sigurinë dhe qetësinë shpirtërore e qenies të nënshtruar ndaj fatit. Asgjë nuk e frikëson apo shqetëson një personi i cili ia nënshtron veten e tij fatit. Allahu do t’u japë robërve të Tij besimtarë një jetë të mirë si në këtë botë ashtu edhe në jetën e përtejme, dhe do t’i mbajë ata nën mbrojtjen e Tij për sa kohë që ata e kërkojnë kënaqësinë e Tij. Mirëpo, Allahu mund të mos e zbulojë gjithmonë të mirën e ndonjë gjëje që ndodh në këtë botë. Megjithatë, ajo që në dukje mund të duket jo e mirë mund të bëjë që një besimtar të arrijë një shpërblim më të mirë në botën tjetër. Një besimtar i cili është i sëmurë rëndë, për shembull, nuk ndien brengë për atë që përjeton. Përkundrazi, ai e merr sëmundjen e tij si një mënyrë për t’iu afruar më afër Zotit të vet. Gjëja më e rëndësishme për të mbajtur mend është se Allahu i planifikon të gjitha ngjarjet për t’i mbrojtur robërit e  Vet të sinqertë dhe për t’iu mundësuar atyre të fitojnë Xhenetin.
Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët. (Sure A'raf: 196)
Ata që nuk harrojnë kurrë se ekziston një qëllim hyjnor në çfarëdo që iu ndodhë atyre ndjejnë afërsinë e shoqërimit të Allahut në çdo hap që bëjnë. Kudo që janë, apo çka do që janë duke bërë, ata nuk harrojnë kurrë se Allahu e di atë shumë mirë.
Prandaj, kurrë mos harroni se çdo gjë, e kaluar dhe e ardhme, deri në hollësitë më të vogla, janë të regjistruara tek Allahu, se asgjë nuk i ndodhë njeriut, përveç asaj që do Allahu, se Allahu është i ditur për veprimet tona, kudo që ne jemi apo çfarëdo që jemi duke bërë, dhe se ne të gjithë jemi të lidhur ngushtë me fatin e paracaktuar për ne.